Skip to content Skip to footer

Studentët protestojnë kur askush nuk i dëgjon

Studentët dhe qytetarët protestues në Tiranë i vunë zjarrin Ministrisë së Arsimit dhe disa ndërtesave të tjera të mërkurën. Në protesta u lënduan qytetarë e policë. Shumë protestues u arrestuan. Franca po përjeton një situatë të ngjashme për gati një muaj. Diçka që filloi si bllokadë e disa shkollave në një paralagje të Parisit u shpërnda në gjithë vendin. Në fillim të tetorit, Ministria e Brendshme deklaroi se kishte arrestuar 6.100 njerëz, shumica nën moshën 18-vjeçare. Në Belgjikë, ngjashëm, studentët marshuan bashkë me sindikatat, me pankarta ku shkruhej: „Arsimi është e drejtë, jo privilegj”. Në shumë vende të tjera studentët janë duke protestuar për përmirësimin e të ardhmes së tyre.

Këto skena mund të lexohen në dy mënyra të gabuara. E para sheh vetëm dhunën, huliganizmin dhe oportunistët të cilët e eksploatojnë kauzën. E dyta sheh vetëm ndërlidhjen politike, ku, për shembull, në Shqipëri studentët iu bashkëngjitën Lëvizjes Flamingo dhe tani kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, kurse në Francë pretendentët për president i eksploatojnë kërkesat e studentëve për të fituar zgjedhjet. Dhuna nuk arsyetohet në asnjë rast, kurse politika gjithmonë ka rol. Por të dy leximet harrojnë se ajo që po e kërkojnë studentët është elementare.

Në Tiranë studentët kërkojnë përmirësimin e kushteve në universitete, uljen e kostove të studimit, përkrahjen financiare dhe punësim pas diplomimit. Në Francë, Kryeministri veç ka kërkuar që të adresohen kërkesat për zëvendësimin e mësimdhënësve të pakualifikuar, zgjatjen e pushimit të drekës, përshtatjen e orareve dhe riparimin e shkollave të vjetra. Studentët në Belgjikë ngrenë zërin për rritjen e kostos së arsimit dhe mbipopullimin e klasave. Këto nuk janë kërkesa revolucionare. Këto kërkesa do të duhej të trajtoheshin në një union studentor funksional, në një konsultim me ministrinë e arsimit,  në një senat apo bord shkolle/universiteti  dhe të trajtohen nga qeveritë.

Në Kosovë, protestat e fundit u mobilizuan për çështje të drejtësisë, por përveç kësaj rinia kosovare ka të njëjtat shqetësime. Edhe pse universitetet publike janë  pa pagesë, dhe marrin një përqindje të madhe të buxhetit për arsimin e lartë, 47% e studentëve paguajnë tarifat në universitetet private. Më pak se katër në dhjetë persona të moshës së punës janë të punësuar, dhe papunësia e të rinjve, sipas Anketës së Fuqisë Punëtore, llogaritet të jetë 19,5%.Në Shqipëri kjo shifër raportohet të jetë 21,5%.

Në gjithë Evropën, kjo gjeneratë po e sheh ardhmërinë me pesimizëm dhe është duke përjetuar vështirësi si rritjen e inflacionit, rritjen e çmimeve të ushqimit, banimit, studimit dhe të energjisë elektrike. Po ashtu këtë gjeneratë e shqetëson destabiliteti politik dhe rritja e  polarizimit shoqëror. Pra, protestat studentore, përveç kërkesave për klasa më të mira, po ngrenë shqetësime për nivelin e mirëqenies dhe ardhmërinë e tyre.

Në Evropë, pjesëmarrja e studentëve në qeverisjen e universiteteve është një ndër vlerat kryesore të Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë dhe të Procesit të Bolonjës. Sipas raportit zyrtar të implementimit të vitit 2024, ligjet kërkojnë pjesëmarrjen e studentëve në pothuajse të gjitha vendet anëtare, brenda dhe jashtë BE-së. Megjithatë, i njëjti raport thekson se vetëm pak më shumë se një e treta e vendeve e kërkojnë me ligj angazhimin e studentëve në politikëbërjen në arsimin e lartë. Megjithëse studentët kanë përfaqësim formal në organet e universitetit, a ndikojnë ata realisht për tarifat, financimin, numrin e mësimdhënësve apo shërbimet dhe përkrahjen. Buxhetet e aprovuara nuk reflektojnë nevojat dhe zërin e tyre.

Edhe më problematike është mënyra se si vlerësohet pjesëmarrja e nxënësve dhe studentëve. Për shembull, a mjaftohen inspektimet dhe akreditimet në Kosovë me verifikimin e ekzistencës së organeve përfaqësuese, apo vlerësojnë edhe ndikimin e tyre real në vendimmarrje? Kjo pyetje vlen edhe për arsimin parauniversitar. Nuk mjafton të verifikohet nëse ekzistojnë këshillat e nxënësve; duhet të vlerësohet edhe se çfarë ndodh me propozimet dhe kërkesat e tyre.

Si duket, ne jemi mësuar vetëm të krijojmë struktura për të cilat nxënësit dhe studentët i mësojmë se janë vetëm për paraqitje(show), dhe nuk u japim fuqi për të vepruar në bazë të propozimeve dhe kërkesave të tyre. Paraqitja apo mashtrimi praktikohet konkretisht kur deklarojmë se kemi procese apo kuti ankesash, për të cilat të gjithë e dimë se nuk funksionojnë.

Si për ironi, në maj të vitit 2024, ministrat evropianë u takuan në Tiranë dhe nënshkruan një komunikatë e cila e definonte të drejtën e pjesëmarrjes së studentëve si të drejtë për t’u organizuar „pa presion apo ndërhyrje të panevojshme” dhe për të marrë pjesë në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Në të njëjtin dokument, ata u përkushtuan që të adresojnë kostot e jetesës dhe mungesën e banimit të përballueshëm për studentët.Pas dy vitesh, studentët po protestojnë për të njëjtat kërkesa.

Dështimi nuk fillon në universitet. Fillon në fëmijëri. Në vitin 2023, Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës i tha Shqipërisë se pikëpamjet e fëmijëve në Shqipëri ende nuk merren parasysh në mënyrë sistematike në vendimet që i prekin ata. Iu kërkua qeverisë që ta rithemelojë Parlamentin Rinor, që zgjidhet dhe udhëhiqet nga fëmijët.Po ashtu, raporti theksoi shqetësimin për raportimet mbi trajtimin çnjerëzor dhe degradues të fëmijëve nga policia, sidomos në kontekstin e protestave publike. Në të njëjtin vit, Komiteti i kërkoi Francës që t’u japë këshillave të fëmijëve dhe Parlamentit të Fëmijëve mandat domethënës dhe burime adekuate, ashtu që fëmijët të angazhohen me politikëbërjen nacionale. Studentët e sotëm janë fëmijët e djeshëm.  Nëse për vite me radhë mësohen se mendimi i tyre kërkohet vetëm formalisht, nuk duhet të habitemi kur humbin besimin te mekanizmat institucionalë të pjesëmarrjes.

Edhe në Kosovë, situata është e ngjashme. Në një raport të Save the Children, që përfshiu 1.071 fëmijë,tre nga katër theksuan se i shprehin mendimet e tyre në shkollë, por vetëm një në katër tha që mendimet e tyre merren plotësisht parasysh.Këshillat e nxënësve ekzistojnë, por ata janë formalë, dhe asnjëherë nuk e dimë se çka nga propozimet e tyre merret parasysh.E njëjta ndodh edhe me këshillat e prindërve: formalisht ata ekzistojnë, por sa nga propozimet e tyre merren parasysh? A raportohen këto në afate vjetore?

Kjo është mënyra se si një gjeneratë apo shoqëri mësohet të marrë pjesë në konsultime si pjesë e ritualeve, dhe jo si ushtrim i një të drejte elementare. Një fëmijë që pyetet për një mendim dhe nuk merret parasysh mëson se mendimi i tij/saj nuk vlen, dhe humb besimin në institucionin apo strukturën të cilës i përket.

Kur kanalet formale të pjesëmarrjes nuk prodhojnë rezultate, protesta mund të bëhet një nga mënyrat më të fuqishme për t’u kërkuar llogari institucioneve. Këtë e shohim në çdo vend, dhe studentët i detyrojnë edhe qeveritë të japin dorëheqje.Ata thjesht konkludojnë se presioni jashtë sistemit sjell rezultate përkundër pjesëmarrjes brenda institucionit që nuk jep rezultate.

Kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të të rinjve, pakënaqësia mund të shprehet në dy mënyra: përmes protestës dhe kërkesës për ndryshim, ose përmes largimit. Në Kosovë dhe Shqipëri, të dyja këto përgjigje meritojnë vëmendje.Studentët në Shqipëri nuk janë të vetmit të rinj të frustruar. Ata po shprehin zemërim dhe po kërkojnë të qëndrojnë në Shqipëri.

Kur qeveria reagon me arrestimin e protestuesve, nuk e parandalon protestën e ardhshme. Qeveria duhet t’i ruajë institucionet, por policia nuk guxon të reagojë në mënyrë brutale dhe jo proporcionale.Qeveria duhet të tregojë se i ka dëgjuar dhe të marrë masa për t’i plotësuar kërkesat e tyre.

Tre gjëra do të bënin diferencën. Pjesëmarrja e fëmijëve dhe dëgjimi i zërit të tyre duhet të jetë i vërtetë, me forume, parlamente të zgjedhura nga ata dhe me buxhete për veprimtarinë e tyre. Studentët duhet të përfshihen në vendimmarrje aty ku përcaktohen politikat dhe buxhetet. Institucionet duhet të raportojnë se cilat propozime të studentëve janë marrë parasysh, cilat nuk janë pranuar dhe për çfarë arsye. Kur studentët dalin në rrugë (e sidomos të miturit), ata duhet të trajtohen si fëmijë, të drejtat e të cilëve mbrohen, dhe jo si armiq.

Asnjë nga kërkesat nuk është radikale. Ato janë bazike dhe të garantuara me ligje dhe konventa. Nëse duam që të rinjtë të besojnë në institucionet demokratike, duhet t’u dëshmojmë që në shkollë se pjesëmarrja e tyre ka kuptim. Nuk mjafton t’u japim të drejtën të flasin. Duhet të tregojmë se i dëgjojmë.

Bardha Qirezi

16/10/2026

Empowering Communities: Fostering Personal and Organizational Development

Subscribe

* indicates required
Edutask ©. All Rights Reserved.