Skip to content Skip to footer

Arsimi Profesional i Hotelerisë: Sfidat dhe Mundësitë për një Industri të Qëndrueshme

Në një kohë kur sektori i turizmit dhe hotelerisë po shënon një rritje të dukshme, arsimi formal në këtë fushë mbetet shtylla themelore për zhvillimin e industrisë. Megjithatë, sfidat e sotme – përfshirë kurrikulat e vjetra, mungesën e bashkëpunimit me sektorin privat dhe perceptimin negativ të profesionit – kanë bërë që të rinjtë të jenë më pak të interesuar për një karrierë në këtë fushë.

Pas periudhës së tranzicionit gjatë viteve 1990, Kosova filloi të investojë në edukimin profesional për të rigjeneruar ekonominë dhe për të krijuar kurrikula që synonin të përgatisnin profesionistë të kualifikuar për sektorin e hotelerisë. Shkollat e specializuara, si ato në Prishtinë, Prizren, Gjilan dhe Pejë, u themeluan për të vendosur bazat e njohurive në menaxhimin e hoteleve dhe ofrimin e shërbimeve turistike. Me kalimin e kohës, kërkesa për praktika të përditësuara dhe bashkëpunime të forta me sektorin privat është bërë gjithnjë më e rëndësishme.

Studimet ndërkombëtare, përfshirë ato të kryera nga Rochester Institute of Technology (RIT, 2018), theksojnë se një qasje e integruar që kombinon njohuritë teorike me trajnimet praktike është thelbësore për zhvillimin e aftësive profesionale të nevojshme në një treg global. Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Arsimit të Kosovës (MASHT, 2020), vetëm rreth 35% e punonjësve në sektorin e turizmit dhe hotelerisë janë absolventë të shkollave të specializuara, duke nënkuptuar se afërsisht 65% e personelit përvetësohen përmes përvojës praktike dhe trajnimeve në vend pune, pa një formim formal. Ky hendek krijon sfida të mëdha për ngritjen e standardeve të shërbimit dhe për adaptimin ndaj kërkesave ndërkombëtare.

Shkollat e hotelierisë dhe turizmit nuk i tërheqin më të rinjtë për disa arsye kryesore. Programet arsimore të vjetra nuk i përputhen me zhvillimet e fundit të industrisë, investimet e pamjaftueshme në infrastrukturë moderne pengojnë krijimin e mjediseve mësimore të përshtatshme, dhe perceptimi negativ, i cili e lidh këtë profesion me paga të ulëta dhe kushte pune të pakënaqshme, shton sfidat në tërheqjen e rinjve.

Për të kapërcyer këto sfida, është thelbësore që institucionet arsimore të bashkëpunojnë ngushtë me sektorin privat dhe të investojnë në modernizimin e mjediseve mësimore. Përditësimi i kurrikulave, duke përfshirë integrimin e trajnimeve praktike dhe programeve ndërkombëtare që përshtaten me nevojat e një tregu global, është një hap i domosdoshëm. Gjithashtu, investimi në teknologji dhe modernizimi i laboratorëve, kuzhinave praktike dhe mjediseve të këndshme do të përmirësojnë cilësinë e edukimit, ndërsa rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e arsimit formal dhe krijimi i partneriteteve strategjike me sektorin privat do të mundësojnë transferimin e njohurive dhe aplikimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, reforma në arsimin e turizmit dhe hotelerisë nuk është vetëm një nevojë, por edhe një mundësi e madhe për Kosovën që të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm

turistik me standarde të larta shërbimi. Transformimi i arsimit në këtë fushë është një investim në të ardhmen e industrisë dhe në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Edhe pse përballemi me sfida të konsiderueshme, mundësitë për përmirësim dhe inovacion janë të mëdha. Përmes modernizimit të kurrikulave, investimeve në infrastrukturë dhe bashkëpunimit të ngushtë me sektorin privat, Kosova mund të krijojë një gjeneratë profesionistësh të kualifikuar që do të ndihmojnë në ngritjen e standardeve të shërbimit dhe në promovimin e destinacionit turistik.

Në fund, e ardhmja e turizmit dhe hotelerisë në Kosovë varet nga aftësia për të bërë ndryshime thelbësore në arsimin formal, duke u fokusuar në nevojat e tregut dhe duke inkurajuar të rinjtë të shohin këtë profesion si një mundësi të plotë për rritje dhe sukses.

Sueda Asani
14.02.2025

Empowering Communities: Fostering Personal and Organizational Development

Subscribe

* indicates required
Edutask ©. All Rights Reserved.