Skip to content Skip to footer

Pse arsimi duhet të jetë prioritet për votuesit në këto zgjedhje

Në kohë fushate, kur partitë politike ofrojnë premtime për rritje pagash dhe ndihma të përkohshme financiare, është momenti që votuesit—prindër, gra, burra, mësimdhënës, punëdhënës, punëtorë dhe të rinj—të reflektojnë për çështjet që janë të rëndësishme për ta. Arsimi nuk do të duhej të trajtohej  thjesht si një temë për fushata zgjedhore, por si  themel mbi të cilin ndërtohet e ardhmja ekonomike, sociale dhe demokratike e Kosovës. Njëri nga argumentet për këtë  trajtim sipërfaqësor të arsimit gjatë zgjedhjeve lidhet me potencialin e vogël të  temës për të fituar vota, dhe apetiteve të publikut (votuesit) për debat konfrontues dhe diskurs që përdor metoda të stereotipizimit të kundërshtarëve që mundohen të portretizojnë se  kush është patriot e tradhtar, keqpërdorues e i pastër, amator e punëtor, i vjetër dhe i ri, etj. që mjegullojnë informatat  për reformat arsimore të propozuara. Kur pyesim çfarë arsimi duam, në fakt ne  po pyesim çfarë shoqërie dëshirojmë të ndërtojmë. Për këtë arsye unë po mundohem që t’i  drejtohem një votuesi të papërcaktuar  që i takon partive  dhe shtresave shoqërore të ndryshme me qëllim që të fokusojmë debatin për rëndësinë e arsimit në këto zgjedhje si investimi më i vlefshëm për zhvillim të qëndrueshëm, mirëqenie kolektive dhe formimin e qytetarëve të përgjegjshëm.

Së pari, prindërit natyrisht dëshirojnë të ardhmen më të mirë për fëmijët e tyre. Por, mungesa e  arsimit cilësor i rrezikon ëndrrat për fëmijët tuaj. Shpenzimet e arsimit paguhen nga ju prindër taksapagues, prandaj ju kërkoni që fëmijët tuaj  të kanë  shkolla moderne, mësues të kualifikuar dhe mundësi që i përgatisin për tregun global të punës.  Si prindër ju mirëpritni ndihma financiare specifike për lehona dhe fëmijë të porsalindur. Ato skema janë  të dizajnuara për popullatë që nuk mund të plotësojë nevojat bazike dhe si të tilla plotësojnë një kërkesë të përkohshme urgjente. Shikojeni investimin në arsim si tejkalim të nevojave urgjente dhe kërkoni reforma që u sigurojnë fëmijëve tuaj punë të mirë paguar dhe  arsimimin që u ofron atyre lirinë për të menduar dhe vepruar. Një fëmijë i arsimuar është një qytetar i lirë, jo një subjekt i nënshtruar ndaj manipulimeve politike apo varësisë ekonomike. Mos u mjaftoni me premtime të paqarta, por kërkoni shkolla që formojnë mendje të pavarura dhe të afta për të përballuar sfidat e kohës. Prandaj, vetëm  me votën për rritje të investimeve në arsim ju siguroni të ardhmen e fëmijëve tuaj.

Së dyti, arsimi dhe puna i çliron gratë nga pasiguria ekonomike dhe ofron  mirëqenie shoqërore. Kur ju gra shkoni për votime mendoni a dëshironi edhe në këtë dekadë të jeni statistika pesimiste për normën më  të lartë të papunësisë dhe pasivitetit ekonomik dhe  angazhimit minimal në pozita drejtuese. Ju keni dëshmuar që jeni të afta dhe performoni më mirë në arsim dhe merrni më shumë përgjegjësi në familje  në krahasim me burrat. Arsimi për cilindo  nënkupton mundësi më të mira për punësim, zhvillim profesional dhe pavarësi financiare. Me prirje për të prioritizuar fëmijët dhe familjen, shikoni arsimin me brengosje dhe  si më  largpamëse  që jeni shfrytëzoni mundësinë të kërkoni arsim cilësor,  kushte më të mira, trajtim miqësor dhe siguri në  hapësira publike dhe kudo për ju dhe fëmijët tuaj. Prandaj edhe me një votë të menduar mirë  apo duke ia dhënë votën një gruaje të aftë  ju bëheni pjesë e vendimmarrjes, fuqizimit të gruas dhe sillni  zërin e ndërgjegjes dhe përgjegjësisë në politikë.

 

Mësimdhënësit mund të jenë udhëheqës të ndryshimit. Edhe pse edhe vet si e gjithë fuqia punëtore në Kosovë jeni produkt i sistemit arsimor, ju sot  mund të zgjidhni mos të  reprodukoni atë  kur merrni përsipër këtë profesion fisnik. Prandaj në këto zgjedhje, si mësimdhënës, mendoni a  mjaftojnë  premtimet për rritje pagash pa siguruar  trajtim të  dinjitetshëm dhe zhvillim profesional të qëndrueshëm. Ju mund të ngrisni zërin që  të bëhen ndryshime thelbësore në shkollat dhe universitetet ku punoni sepse duke toleruar ngecjen po hiqni dorë nga e ardhmja e profesionit  tuaj dhe ndryshimeve shoqërore të nevojshme.  Ajo që u nevojitet mësimdhënësve janë investime në zhvillimin profesional, mjete moderne mësimore dhe kurikula që përgatisin nxënësit për realitetet në tregun e punës dhe një bote që po ndryshon shpejt dhe me rreziqe të shumëfishta. Merrni guximin dhe kërkoni ngritje të standardeve profesionale për vete dhe kërkoni reforma të thella dhe thelbësore në sistemin arsimor dhe investime që do të transformojnë shkollat dhe universitetet në hapësira të kureshtjes, dijes, dhe inovacionit.

Bizneset janë partnerë për zhvillimin e fuqisë punëtore dhe shtylla e zhvillimit ekonomik. Një fuqi punëtore e kualifikuar është thelbësore për suksesin e bizneseve. Shkollat që nxisin mendimin kritik dhe aftësinë për zgjidhjen e problemeve përgatisin të rinj të aftë për sfidat e së ardhmes. Bashkëpunimi mes arsimit dhe sektorit privat është thelbësor për një ekonomi konkurruese dhe inovative. Për këtë arsye, bizneset sot mund të mendojnë për rolin e tyre për trajnimin dhe zhvillimin profesional të punonjësve përmes praktikave dhe trajnimeve. Dhe në këto zgjedhje të analizojnë kush do të ofrojë këtë partneritet për të adresuar hendeqet në fuqinë punëtore. Duke dhënë votën për programin më të mirë arsimor, ju jeni duke investuar drejt për drejtë në krijimin e  një cikli të qëndrueshëm të rritjes ekonomike. 

Së fundi, për nxënësit dhe të rinjtë arsimi është garanci për një të ardhme më të sigurt. Të rinjtë e Kosovës meritojnë më shumë sesa fajësime që lidhen me përgjegjësitë e nivelit qendror, komunal apo të shkollës dhe ndihma të përkohshme. Të jesh i pa punë, jo aktiv në tregun e punës dhe absolvent  shumë vjeçar nuk  është formulë për progres. Sot kur votoni, mendoni se ku do të jeni pas katër viteve dhe për rolin e arsimit dhe rolin tuaj personal në këto parashikime.  Arsimi cilësor u jep nxënësve dhe studentëve mjetet për të ndërtuar një të ardhme më të mirë: për të gjetur punë domethënëse, për të nisur biznese dhe për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Vetëm përmes dijes dhe aftësive praktike mund të arrihet pavarësia ekonomike dhe sociale. Një arsim cilësor i mbron të rinjtë nga manipulimi, dezinformimi dhe ideologjitë ekstremiste duke i pajisur ata me mendim kritik dhe aftësi për të marrë vendime të informuara. Kur ju kërkoni arsim cilësor, ju fitoni mundësi të ndiheni të lirë të eksploroni,  mësoni dhe të krijoni pa kufizime dhe të imagjinoni një jetë ku mund të ndërtoni pavarësinë tuaj financiare dhe të realizoni potencialin tuaj  të plotë. Këto qëllime arrihen përmes punës, përkushtimit dhe vetëbesimit se njohuritë dhe aftësitë e fituara në edukim formal,  joformal dhe në vendin e punës janë themeli për ndërtimin e një jete të qëndrueshme dhe të pavarur. Arsimi është ura që ju  lidh juve me mundësitë reale për sukses personal dhe kontribut shoqëror.

Ndryshimet e vërteta kërkojnë guxim dhe vendosmëri. Deri më tani sistemi arsimor nuk ka pasur vëmendjen e duhur. Votuesit sot duke mos u mjaftuar me  premtime të zakonshme kanë mundësi të kërkojnë reforma që ndikojnë realisht në jetën e tyre. Arsimi me potencialin e vet për të sjellur zhvillim,  liri dhe përgjegjësi kërkon vëmendje të shtuar nga  votuesit sepse vetëm kur ne vlerësojmë arsimin  dhe e bëjmë prioritet mund të ndërtojmë një Kosovë më të fortë, më të drejtë,  dhe më të pavarur.

 

Bardha Qirezi
17.01.2025

Empowering Communities: Fostering Personal and Organizational Development

Subscribe

* indicates required
Edutask ©. All Rights Reserved.