Edukimi i hershëm në Kosovë – një sfidë me potencial për zhvillim
Investimi në edukim të hershëm është një imperativ ekonomik dhe intelektual—një që përcakton trajektoren afatgjatë të nje vendi. Vitet e para të jetës formojnë themelin mbi të cilin ndërtohet mprehtësia kognitive, rezilienca emocionale dhe aftësitë vetërregulluese e sociale. Shoqëritë që e integrojnë edukimin e hershëm në kornizat e tyre kombëtare—përmes qasjes universale në edukimin parashkollor, kujdesin cilësor për fëmijët dhe programeve të zhvillimit të bazuara në evidencë—nuk edukojnë thjesht fëmijë, por kultivojnë vlerat që formësojnë një shoqëri.
Përfitimet e këtyre investimeve pasqyrohen në arritje akademike, produktivitet të shtuar në tregun e punës dhe një qytetari më kohezive socialisht ndër tjerash. Ekonomisti James Heckman që ka studiuar kapitalin njerëzor dhe efikasitetin e edukimit të hershëm, ka demonstruar që investimi në edukimin e hershëm sjell kthimin më të lartë nga çdo investim publik. Çdo euro e shpenzuar për edukimin e hershëm shumëfishon fitimin që i kthehet vendit.
Në Kosovë vetëm 15% e fëmijëve nën pesë vjeç ndjekin ndonjë formë të edukimit të strukturuar, krahasuar me më shumë se 90% në shumë vende të Bashkimit Evropian që është indikator i një neglizhence në gjithëpërfshirje në edukimin e hershëm. Tani që po i afrohemi zgjedhjeve, një pjesë e zotimeve të partive politike për edukimin e hershëm tingëllojnë si tentativa që të sanojnë një problem në sipërfaqe. Politikat afatshkurtra mund të krijojnë iluzionin e progresit, por pa ndërtuar një bazë të qëndrueshme për edukimin e hershëm. Në shumë zona rurale, nuk ka institucione parashkollore dhe këta fëmijë hyjnë në shkollë fillore me më pak ekspozim ndaj leximit, lojës së strukturuar dhe ndërveprimit social, duke u vendosur kështu në disavantazh që nga dita e parë. Kjo e shtreson pabarazinë qe nga fillimet e para dhe krijon dy realitete të ndara, ku një grup fëmijësh hyjnë në shkollë me aftësi më të forta kognitive dhe sociale, ndërsa te tjeret fillojnë me mungesa që shpesh nuk arrin t’i kompensojnë as më vonë. Një hap pozitiv në këtë drejtim është finalizimi i marrëveshjes për Programin e Kuponëve për Edukimin e Hershëm, të mbështetur nga Banka Botërore, e cila synon të rrisë përfshirjen e fëmijëve të moshës 3-5 vjeç në çerdhe të licencuara. Megjithatë, mbetet për t’u parë se sa fëmijë do të përfitojnë realisht dhe në çfarë mase programi do të arrijë të mbulojë nevojat e familjeve.
Studimet tregojnë se vendet që dedikojnë një pjesë të konsiderueshme të PBB për edukimin e hershëm përfitojnë një rritje të qëndrueshme të GDP-së, duke qenë se edukimi i hershëm është parashikues i zhvillimit të kapitalit njerëzor. Sipas të dhënave të OECD, vendet e zhvilluara investojnë mesatarisht 1.2% të GDP-së në edukimin e hershëm, ndërsa në Kosovë ky investim është vetëm 0.3% e GDP-së, një nga më të ulëtit në Evropë. Ky nivel i ulët i investimeve reflektohet edhe në mungesën e programeve të forta të standardizuara për edukim të hershëm, e cila nuk duhet të kufizohet vetëm në përgatitjen për shkollën, por të fokusohet në zhvillim. Programet duhet të mësojne femijet mbi të gjitha për rregullim te emocioneve, vetëmjaftueshmerinë, vetëefikasitetin si elemente kyqe te krijimit te individualitetit dhe agjencisë për shfrytëzimin e plotë të potencialit. Tendenca për ta larguar edukimin e hershëm nga përgjegjësitë shtetërore dhe për ta kthyer këtë në një çështje familjare vërehet në narracionin publik. Edukimi i hershëm nuk ka të bëjë vetëm me kujdesin fizik apo dashurinë prindërore—ai përfshin zhvillimin përmes programeve të strukturuara te cilat janë hartuar me kujdes për stimulim kognitiv, emocional, dhe social.
Andaj, roli i një shteti mbështetës është të krijojë kushtet dhe mundësitë për zhvillimin e plotë të potencialit të popullsisë. Ai nuk duhet të jetë vetëm rregullator, por katalizator i zhvillimit njerëzor përms arsimit cilësor, politikave sociale gjithëpërfshirëse dhe mbështetjes ekonomike. Një shoqëri e zhvilluar nuk matet vetëm nga infrastruktura apo rritja ekonomike, por nga mënyra se si investon në potencialin njerëzor.
Okarina Gorani
07.02.2025
