Investimi në Njerëz: Pse Trajnimi dhe Mësimi i Vazhdueshëm janë Thelbësorë për Bizneset në Kosovë
Në Kosovë, bizneset po përballen me dy sfida të mëdha që kërcënojnë qëndrueshmërinë dhe aftësinë e tyre konkurruese: emigrimi i fuqisë punëtore dhe mungesa e aftësive të nevojshme për të përmbushur kërkesat e tregut.
Të dhënat e fundit nga regjistrimi i popullsisë tregojnë se popullsia në moshë pune ka pësuar një rënie prej rreth 10% që nga viti 2012, kryesisht për shkak të emigrimit, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për bizneset gjetjen dhe mbajtjen e stafit të kualifikuar. Në të njejtën kohë, ata që mbesin në vend shpesh nuk kanë aftësitë e përshtatshme për të plotësuar kërkesat e tregut. Përgjithësisht, arsimi dhe aftësitë e tyre nuk përputhen me kërkesat reale të industrive, duke krijuar një hendek të dukshëm mes mundësive dhe shkathtësive ekzistuese. Ky hendek, krijon pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit.
Në këtë kontekst, investimi në njerëz dhe zhvillimi i tyre nuk është më një opsion, por një domosdoshmëri. Asnjë kompani nuk mund të funksionojë në mënyrë efektive pa përgatitur punonjësit për ndryshimet dhe kërkesat e reja. Trajnimi është një investim strategjik që ndihmon bizneset të mbyllin hendekun e aftësive, duke pajisur punonjësit me kompetenca të reja për të përmbushur rolet e tyre dhe për t’u përshtatur me teknologjitë në zhvillim. Njëkohësisht, ai rrit besnikërinë, duke ulur largimet dhe ruajtur stabilitetin institucional. Për më tepër, një staf i trajnuar mirë nxit produktivitetin dhe inovacionin, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe fuqinë konkurruese të kompanive.
Në një studim të realizuar nga Edutask me biznese të ndryshme në Kosovë, janë identifikuar disa prej aftësive më kritike që duhet të kenë punonjësit për të kontribuar në suksesin e kompanive.Sipas gjetjeve tona, për punonjësit e rinj, bizneset duhet të investojnë në ngritjen e këtyre kapaciteteve:
- Komunikim, punën në ekip, menaxhimin e kohës, menaxhimin dhe kuptimin e detyrave dhe rolit të punës, të kuptuarit e industrisë, dhe shkathtësi teknike si përdorimi i mjeteve digjitale dhe aftësitë numerike.
Ndërsa, për menaxherët ekzistues, bizneset duhet të zhvillojnë këto kapacitete:
- Menaxhimi i projekteve dhe i ndryshimeve, udhëheqja strategjike dhe menaxhimi i burimeve njerëzore, zhvillimi i aftësive për të menaxhuar shitjet dhe për të udhëhequr ekipe drejt objektivave të qarta, menaxhimin e rritjes së qëndrueshme të biznesit, zhvillimin e shkathtësive digjitale në mënyrë të vazhdueshme.
Për kompanitë të cilat synojnë akces në tregje ndërkombëtare dhe ato të cilat kanë prezencë në tregje të huaja, të dhënat tona tregojnë që duhet fokus në zhvillim të këtyre kompetencave:
- Njohja e gjuhëve të huaja, sidomos asaj Angleze, kuptimi i kulturave të ndryshme dhe zhvillimi i komunikimit ndërkulturor, njohja e legjislacionit dhe praktikave në tregjet ku eksportojnë, shkathtësitë e gjelbëra dhe aplikimi i praktikave të gjelbëra.
Përtej përmbushjes së nevojave të menjëhershme, kompanitë duhet të ndërtojnë një kulturë të trajnimit dhe mësimit të vazhdueshëm. Kjo përfshin:
- Ofrimin e programeve të trajnimit të rregullt për punonjësit në të gjitha nivelet.
- Angazhimin e liderëve dhe menaxherëve në zhvillimin e aftësive të tyre për të udhëhequr në mënyrë më efektive.
- Përfshirjen e mentorëve dhe ekspertëve për të ndihmuar në zhvillimin profesional të stafit.
Një kompani që investon në këtë drejtim jo vetëm që krijon një fuqi punëtore më të aftë, por gjithashtu forcon pozitën e saj në treg duke siguruar që mund të përshtatet me ndryshimet dhe të kapërcejë sfidat.
Pra, sfidat me të cilat përballen bizneset në Kosovë nuk do të zhduken vetvetiu. Përkundrazi, me zhvillimin e industrive dhe rritjen e konkurrencës globale, këto sfida ka gjasa të intensifikohen. Për të mos humbur në këtë garë, kompanitë duhet të veprojnë tani duke investuar në njerëzit e tyre.
Pra, mesazhi është i qartë: investoni në njerëz. Trajnimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm nuk janë luks, por një domosdoshmëri për mbijetesë dhe rritje në një mjedis ekonomik që ndryshon vazhdimisht. Sot është koha për të kapërcyer sfidat dhe për të siguruar të ardhmen e biznesit tuaj. Trajnimi nuk është një shpenzim i tepërt; është një investim jetik.
Diana Lekaj
24.01.2025
